SHKUP, 23 Janar 2026 – Sot është hedhur shorti për fazën çerekfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut, i cili ka rezervuar përballje mjaft interesante, ku pa dyshim vëmendja kryesore do të jetë në Strugë.
Superderbi: Struga Trim Lum – Shkëndija e Tetovës
Fati i goglave ka vënë përballë dy gjigantët shqiptarë të futbollit vendor. Struga Trim Lum dhe Shkëndija e Tetovës, dy skuadrat që kanë dominuar skenën e futbollit në vitet e fundit, do të masin forcat në një duel eliminator “jetë a vdekje”. Ky derbi konsiderohet si një finale para finales, pasi njëra nga skuadrat pretendente për trofeun do të eliminohet që në këtë fazë.
Shkëndija e Haraçinës sfidon Rabotniçkin
Një tjetër lajm i mirë për futbollin shqiptar është prania e Shkëndijës së Haraçinës. Skuadra surprizë e këtij edicioni do të presë në shtëpi ekipin e njohur nga Shkupi, Rabotniçki. Haraçinasit synojnë të shkruajnë historinë duke tentuar kalimin në katërshen më të mirë të shtetit.
Përballjet e plota çerekfinale:
-
Struga Trim Lum – Shkëndija (T)
-
Shkëndija (H) – Rabotniçki
-
Vardar – Ohri
-
Detonit Pllaçkovica – Sileksi
Data dhe Rregullorja
Të gjitha ndeshjet çerekfinale do të zhvillohen më 25 shkurt. Sipas rregullores së Federatës:
-
Në rast se ndeshjet përfundojnë në barazim pas 90 minutave, nuk do të ketë vazhdime, por fituesi do të përcaktohet direkt përmes goditjes së penalltive.
-
Ky është raundi i fundit që luhet me vetëm një ndeshje, pasi gjysmëfinalet do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje.


