TIRANË, 10 Shkurt 2026 – Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas protestës së tensionuar të zhvilluar pasditen e sotme para Kryeministrisë dhe Parlamentit, ku mbetën të plagosur 16 punonjës policie.
Përmes një njoftimi për mediat, autoritetet bënë të ditur se efektivët janë transportuar me urgjencë drejt spitaleve (Traumës dhe QSUT), pasi kanë pësuar djegie nga bombat molotov dhe dëmtime fizike nga goditjet me sende të forta.
Thirrjet me megafon dhe reagimi i Policisë
Sipas Policisë, gjatë gjithë tubimit u është bërë thirrje protestuesve që të distancoheshin nga aktet e dhunës, por sulmet kanë vijuar me intensitet deri në fund.
“Policia e Shtetit iu ka bërë thirrje me megafon protestuesve të dhunshme që të distancoheshin, por sulmet kanë vijuar me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Bilanci i dëmeve dhe shoqërimet
Përveç 16 policëve të lënduar, raportohet se deri më tani janë shoqëruar 13 persona në komisariate. Strukturat ligjzbatuese po dokumentojnë çdo akt dhune përmes kamerave të sigurisë për të identifikuar të gjithë personat përgjegjës.
Nga ana tjetër, opozita ka pretenduar gjithashtu për lëndime mes tyre, përfshirë edhe deputetin Bledion Nallbati, i cili u dërgua për kontroll mjekësor.
PAMJET: Policia publikon videot nga spitali
Më poshtë mund të ndiqni pamjet e publikuara nga Policia e Shtetit, ku shihen efektivët duke marrë ndihmën e parë mjekësore pas lëndimeve të marra në detyrë:
👉 KLIKO KËTU PËR TË PARË VIDEON


