Lëvizja e Legalitetit shpalos 10 propozime për Reformën Zgjedhore

Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) ka prezantuar paketën e saj të masave drejtuar Komisionit për Reformën Zgjedhore, me synim rritjen e transparencës dhe garantimin e drejtësisë në proceset elektorale. Propozimet e PLL-së synojnë një reformim të thellë të sistemit aktual, duke filluar nga mënyra e votimit deri te administrimi i votës.

 

Në thelb të këtyre propozimeve qëndron kërkesa për një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, ose ndarjen në katër rajone zgjedhore për një përfaqësim më të drejtë. PLL propozon gjithashtu aplikimin e votimit dhe numërimit elektronik, si dhe ndryshime rrënjësore në mënyrën e funksionimit të koalicioneve, ku subjektet të mund të depozitojnë listat e tyre brenda koalicionit me dakordësi të qartë ligjore.

Pikat kryesore të propozimeve të PLL-së përfshijnë:

  • Lehtësimi i kandidimit: Heqja e barrierave si mbledhja e firmave dhe liria e subjekteve për të mos plotësuar 100% të listës për këshilltarë bashkiakë.

  • Reforma në pushtetin lokal: Rikthimi i raundit të dytë për kryetarët e bashkive nëse nuk arrihet mbi 50% e votave, dhe kontrolli i dekriminalizimit vetëm për kandidatët fitues.

  • Administrimi dhe vëzhgimi: Përfshirja e shoqërisë civile në grupet e numërimit dhe ndalimi i vëzhguesve pranë qendrave të votimit për të shmangur presionin mbi votuesit.

  • Lufta ndaj korrupsionit: Forcimi i masave penalizuese dhe dënimeve më të rrepta për shitblerjen e votës dhe intimidimin.

Përmes kësaj pakete, Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon të garantojë një proces zgjedhor më të besueshëm dhe të çliruar nga barrierat aktuale administrative dhe politike.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT