Gjykata e Landit në Mynih ka dënuar me burgim të përjetshëm një kosovar 34-vjeçar, i cili tentoi të vriste ish-gruan e tij duke e goditur me thikë mbi 20 herë, në prill të vitit 2025, pranë një sheshi lojërash dhe në prani të djalit të tyre.
Sipas gjykatës, gruaja mbijetoi vetëm falë një operacioni emergjent që zgjati gati tetë orë, pavarësisht lëndimeve të rënda në organe të shumta. Gjyqtarja kryesuese, Elisabeth Ehrl, theksoi se sulmi ishte i paramenduar dhe i motivuar nga motive të ulëta, duke përjashtuar çdo mundësi për një dënim më të lehtë.
Vendimi nuk është ende i plotfuqishëm, pasi mbrojtja dhe prokuroria kanë një javë kohë për të apeluar në Gjykatën Federale të Drejtësisë.
Gjykata konstatoi se motivi kryesor i të pandehurit ishte mosgatishmëria për të pranuar ndarjen dhe faktin se gruaja e tij, gjithashtu kosovare, kishte raportuar vazhdimisht dhunë në familje. Sulmi ndodhi vetëm dy ditë para seancës së planifikuar të divorcit.
Ehrl theksoi se viktima mbijetoi falë punës së jashtëzakonshme të mjekëve dhe se gruaja vazhdon të vuajë pasoja të rënda fizike e psikologjike. Gjykata mori parasysh edhe faktin se sulmi u krye në prani të djalit të tyre, i cili e pyeti babain: “Babi, çfarë ke bërë?”.
Viktima, e cila dëshmoi përmes video-lidhjes, shprehu frikën e saj të vazhdueshme nga familja e ish-burrit. Gjyqtarja u bëri thirrje të afërmve të të pandehurit që të tregojnë dhembshuri dhe ta lënë gruan të qetë.
Ky rast ka tronditur opinionin publik në Gjermani dhe Kosovë, duke nxjerrë në pah pasojat e rënda të dhunës në familje.


