Në Britani arrestohen 1.000 pedofilë çdo muaj: “Paguajnë për transmetim të drejtpërdrejtë të abuzimit të fëmijëve, ndonjëherë për vetëm 20 paund”

Policia në Britani arreston rreth 1.000 të dyshuar për pedofili çdo muaj, ndërsa kërcënimi nga abuzimi seksual i fëmijëve po rritet, paralajmëroi Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) e Britanisë. Numri i arrestimeve është rritur nga 500 në 800 në muaj para disa viteve, e tani ka arritur në 1.000, raportoi “Sky News”.

 

Rob Jones, drejtor për operacionet në NCA, tha se grupet online kanë bërë që autorët të justifikojnë sjelljen e tyre, pasi algoritmet i lidhin me persona me mendime të ngjashme. Ndërsa bashkëpunojnë në “dark web”, si “platforma për zbulim”, ata përdorin platformat kryesore të rrjeteve sociale për të “gjetur dhe abuzuar fëmijë të pambrojtur”.

Meqë të rinjtë mbështeten gjithnjë e më shumë tek interneti, ata janë të ekspozuar ndaj rreziqeve edhe më të mëdha. Jones e përshkroi situatën si “jashtëzakonisht të dëmshme”. “Duam që shoqëria t’i kundërvihet kësaj, dhe autorët të përballen me veprimet e tyre, gjë që është krejt e kundërta e asaj që ndodh online”, paralajmëroi ai.

Sipas NCA, sasia e materialit që Qendra Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar ia ka dorëzuar autoriteteve britanike është pothuajse dyfishuar në tre vitet e fundit. Vetëm për një javë në janar, NCA dhe forcat policore në gjithë Britaninë kryen 252 arrestime. Nga të arrestuarit, 118 u akuzuan, ndërsa 35 u dënuan nga gjykata. Operacioni mbrojti 407 fëmijë.

Ndër krimet në rritje është pagesa për transmetim të drejtpërdrejtë të abuzimit të fëmijëve, ndonjëherë për vetëm 20 paund. NCA gjithashtu paralajmëroi për të ashtuquajturat “Kom grupe”, komunitete sadiste që e shndërrojnë abuzimin në lojë. Jones tha se anëtarët e këtyre grupeve “nxisin njëri-tjetrin” për të kryer “krime edhe më të tmerrshme”.

Becky Riggs, drejtuese e Njësisë Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe hetimin e abuzimit, tha se policët punojnë “pa u lodhur” për të kapur autorët. Megjithatë, ajo theksoi se kompanitë teknologjike duhet të “veprojnë urgjentisht për ta bërë platformat e tyre një mjedis armiqësor për autorët”.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT