Komuna e Strugës ka njoftuar përfundimin e një auditimi të plotë të infrastrukturës së saj të teknologjisë së informacionit (IT), të realizuar nga kompania “Eagle IT Solutions” në bashkëpunim me inxhinierin nga Zvicra, Avdul Dema. Sipas raportit, sistemi aktual paraqet dobësi strukturore që kërkojnë masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e të dhënave.
Gjetjet kryesore të raportit:
-
Siguria kibernetike: Sistemet janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të mundshme nga sulmet e jashtme dhe qasjet e paautorizuara.
-
Infrastruktura e vjetruar: Pajisjet dhe sistemet e vjetruara rrisin mundësinë e defekteve teknike.
-
Mungesa e kopjeve rezervë: Auditimi konstatoi mungesë të sistemeve të mjaftueshme për ruajtjen e të dhënave (back-up), gjë që vë në rrezik arkivën digjitale të institucionit.
Hapat e mëtutjeshëm: Administrata e komunës ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur procedurat për optimizimin dhe përmirësimin e rrjetit. Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është eliminimi i rreziqeve dhe sigurimi i një platforme të qëndrueshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve pa ndërprerje.
Sipas zyrës së Kryetarit, ky proces vlerësohet si një hap i domosdoshëm për të krijuar një infrastrukturë bashkëkohore dhe të sigurt për funksionimin afatgjatë të Komunës së Strugës.
/ KOHANEWS


