Të nderuar qytetarë, të nderuar përfaqësues të mediave
Për të katërtën ditë më radhë mbretëron heshtje dhe panik. Nuk ka asnjë shpjegim për transaksionet e aksioneve midis kompanisë “AS Senjak” dhe kompanive të lidhura me Sasho Mijallkovin, as për shitjen e të njëjtave aksione te Alta Banka në Beograd, një bankë e afërt me regjimin e Aleksandar Vuçiqit.
Faktet janë të qarta: “AS Senjak” është një kompani me një numër minimal të të punësuarve dhe pa aktivitet real, por qarkullon miliona euro. Të ardhurat pothuajse përkojnë plotësisht me tenderët e fituar nga komunat e drejtuara nga BDI.
Me ato para, blihen aksione nga një kompani e Mijallkovit, pastaj shiten në bankën e Vuçiqit. Vetëm gjashtë ditë pas shitjes, një komunë e udhëhequr nga BDI i ndan “AS Senjak” dy kontrata të reja në vlerë 90 milionë denarë – një milion e gjysmë euro. Kjo nuk mund të quhet rastësi, por një pagesë dhe shpërblim për një operacion të përfunduar me sukses.
Dhe për këtë arsye pyesim: Ali Ahmeti, pse familja juaj bleu aksione nga Sasho Mijallkovi? Pse ato aksione përfunduan në bankën e Vuçiqit? A thua tenderi prej një milion e gjysmë euro ka qenë çmimi për atë kontratë? Sa apartamente, sa tenderë dhe sa miliona euro kushton “patriotizmi” juaj?
Të nderuar, kjo nuk është vetëm një aferë politike, ky është një krim që kërkon përgjegjësi të menjëhershme. Paratë e qytetarëve u përdorën padyshim për biznese personale dhe për kontrata me struktura që punojnë kundër interesave të shqiptarëve.
Koha e heshtjes ka mbaruar. Tani është koha e së vërtetës dhe drejtësisë.
I bëjmë thirrje KSHPK-së dhe Prokurorisë publike që të hetojnë urgjentisht këto veprime kundërligjore dhe kriminale.