Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, në intervistën “Gjurmë Speciale”, e cila do të transmetohet në ora 18:30, në portalin Gjurmë.info, ka folur gjerësisht për zhvillimet rreth ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10D.
Ajo theksoi se ky korridor përbën një nga projektet strategjike më të rëndësishme për vendin, me ndikim të madh në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor.
Sipas Zekolli Shaqirit, projekti do të realizohet sipas planifikimeve të përcaktuara, edhe pse një pjesë e traseve kalon në zona të mbrojtura nga UNESCO. Ajo bëri të ditur se për këtë çështje, zyrtarë të Qeverisë kanë zhvilluar takime me përfaqësues të UNESCO-s për të siguruar që punimet të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Zëvendësministrja gjithashtu theksoi se mjetet financiare për realizimin e projektit janë të siguruara dhe se aktualisht nuk ka vonesa në procesin e zbatimit.
Mes tjerash, Zekolli paralajmëroi nënshkrimin e marrveshjes ndër Qeverjtare me Shqipërinë për të dëshmuar përkushtimin në realizimin e punimeve të Korridorit 8
Në këtë drejtim, ajo vlerësoi edhe bashkëpunimin me konsorciumin Bechtel–Enka duke theksuar se bashkëpunimi me kompaninë po zhvillohet në mënyrë korrekte dhe të kënaqshme.


