Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, po kalon një formë fantastike pak ditë para ndeshjes gjysmëfinale të “play-off”-it për Botërorin 2026 kundër Polonisë. Edhe pse skuadra e tij Al-Ittihad u eliminua nga Kupa e Arabisë Saudite pas humbjes 3:2 ndaj Al Kholood, paraqitja individuale e Mitajt ka qenë mbresëlënëse.
Vlerësimi maksimal Mitaj u vlerësua me notën e lartë 7.7, duke zënë vend në formacionin më të mirë të gjysmëfinaleve. Interesant është fakti se mbrojtësi kuqezi është vendosur në krahun e djathtë të këtij formacioni, ndërsa në krahun e majtë gjendet ish-ylli i Milanit, Theo Hernandez.
Ky vlerësim vjen në kohën e duhur, pasi të hënën selektori Sylvinho do të bëjë publike listën e lojtarëve për sfidën e 26 marsit në Varshavë. Me Mitajn në këtë formë, mbrojtja e Shqipërisë duket më e sigurt se kurrë përballë polakëve.


