Raporti më i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për ekonominë e Maqedonisë së Veriut paralajmëron sfida të reja. Edhe pse viti 2025 u mbyll me një rritje solide prej 3,5%, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe çmimet e larta të energjisë pritet ta ngadalësojnë ritmin në 3,1% gjatë vitit 2026, ndërsa inflacioni parashikohet të arrijë në 4,5%.
FMN vlerëson se sistemi financiar mbetet stabil, me sektorin bankar të kapitalizuar mirë, likuid dhe fitimprurës. Niveli i kredive jofunksionale është i ulët, ndërsa kreditimi u përshpejtua në vitin 2025, veçanërisht në segmentin e pasurive të paluajtshme, i nxitur nga rritja e çmimeve të banesave. Megjithatë, ekspozimi i lartë ndaj tregut të pasurive të paluajtshme shihet si një rrezik që kërkon mbikëqyrje të kujdesshme.
Misioni i FMN-së i rekomandon Bankës Popullore të forcojë politikën monetare për shkak të kombinimit të shokut energjetik dhe kërkesës së brendshme ende të fortë. Në raport theksohet se banka duhet të kalojë në ankande me alokim të plotë të bonove të thesarit dhe të rrisë normën bazë të interesit.
“Rekomandohet një afrimi gradual i normave reale të interesit drejt nivelit neutral (rreth 2%) në afat mesatar,” thuhet në komunikatën e FMN-së.


