Kuvendi miraton dërgimin e FSK-së në Gazë: Kosova pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 89 vota pro dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Rripin e Gazës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS). Ky mision, i propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump në kuadër të “Bordit të Paqes”, synon mbikëqyrjen e armëpushimit dhe ofrimin e sigurisë pas konfliktit të nisur në tetor 2023. Vendimi, i cili pritet të nënshkruhet nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e rreshton Kosovën krah aleatëve të parë si Indonezia, Maroku, Kazakistani dhe Shqipëria në këtë nismë globale.

 

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bëri të ditur se dislokimi pritet të nisë në maj dhe do të përfshijë mbi 20 ushtarë të specializuar në fusha si deminimi (EOD), operacionet speciale dhe ekipet mjekësore. Sipas tij, ky angazhim forcon profilin ndërkombëtar të Kosovës dhe dëshmon se vendi është një partner i besueshëm që kontribuon aktivisht në ruajtjen e paqes dhe rendit botëror. Institucionet janë në koordinim të vazhdueshëm me strukturat e FNS-së dhe tashmë kanë caktuar një ushtarak ndërlidhës për të përgatitur detajet teknike të misionit.

Ky operacion pason përvojat e mëparshme ndërkombëtare të FSK-së në Kuvajt dhe Ishujt Falkland, duke reflektuar procesin e transformimit të saj në ushtri të plotë deri në vitin 2028. Dërgimi i trupave rregullohet me ligj, i cili parasheh që shpenzimet të mbulon nga buxheti i shtetit dhe marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa tërheqja mund të bëhet në çdo kohë nëse vlerësohet se rrezikohen interesat e vendit. Përveç këtij misioni, FSK-ja vazhdon të jetë aktive në operacione humanitare dhe trajnime elitare në mbarë botën, siç ishte rasti i fundit i stërvitjeve në Belize.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT