Kiljan Mbape është rikthyer në fokusin e mediave spanjolle, por jo për paraqitjet e tij në fushë. Sipas gazetës Marca, sulmuesi francez po synon të luajë në tri ndeshjet e fundit të sezonit në La Liga, me qëllim që të jetë në formën e tij më të mirë për Kampionatin Botëror.
Megjithatë, ky insistim i tij po shoqërohet me polemika të forta. Tensionet janë rritur pas incidentit të fundit: kur Mbape mësoi se nuk do të ishte titullar në “El Clasico” kundër Barcelonës, ai pretendoi se ishte i dëmtuar dhe nuk u grumbullua fare me ekipin.
Ky gjest ka shkaktuar zemërim të madh te tifozët e Realit të Madridit. Shumë media spanjolle tashmë po shtrojnë pyetjen e vështirë: A po i vendos Mbape interesat e tij personale dhe objektivat individuale përpara suksesit dhe prioriteteve të ekipit?
Situata mbetet delikate, ndërsa presioni mbi sulmuesin francez për të treguar përkushtim ndaj klubit “mbretëror” shtohet çdo ditë e më shumë.


