15 Maj 2026 – Makineria e fuqishme mediatike e ndërtuar gjatë 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán po shkon drejt një shpërbërjeje të shpejtë. Ky kolaps vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e humbjes së tij në zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar.
Vetëm pak javë pasi opozita e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Péter Magyar, korri një fitore bindëse, kanë nisur lëvizjet e para të mëdha: disa nga figurat kyçe të mediave pro-qeveritare kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa një prej programeve kryesore informative është anuluar tërësisht.
Ndryshime rrënjësore po vërehen edhe në median publike hungareze. Edhe pse qeveria e re sapo ka marrë detyrën, linja editoriale ka pësuar kthesë duke përfshirë gjithnjë e më shumë zërat opozitarë, ndërkohë që influencuesit që mbështesnin Orbanin janë zhdukur pothuajse plotësisht nga rrjetet sociale.
Këto zhvillime shënojnë çarjen e parë serioze në sistemin e informacionit që Orbán kontrolloi me dorë të hekurt, duke u përballur për vite me radhë me akuza ndërkombëtare për cenim të lirisë së shtypit dhe centralizim të tregut mediatik.
Reformat e qeverisë së re
Kabineti i ri qeveritar, i cili u betua në fillim të kësaj jave, ka paralajmëruar reforma të thella në sektorin e komunikimit. Kryeministri i ri, Péter Magyar, i cili më parë e kishte cilësuar median publike si një “fabrikë gënjeshtrash”, është zotuar të rikthejë pavarësinë e gazetarisë përmes një ligji të ri dhe krijimit të një autoriteti të pavarur rregullator.
Kujtojmë se në zgjedhjet e mbajtura më 12 prill, partia e qendrës së djathtë Tisza i dha fund sundimit 16-vjeçar të Orbanit, duke siguruar një shumicë prej dy të tretash në parlament – vlerë kjo e mjaftueshme për të zhbërë të gjitha reformat kushtetuese të ish-kryeministrit.


