Kreu i komunës së Bogovinës ka vazhduar edhe sot me mbështetjen e Arsimit, duke ju dhuruar mirënjohje nxënësve me nota të dalluara, prej shkollave fillore të kësaj komune.
Nxënësja më e mirë u shpall Elma Abazi, të cilës ju dhurua një llaptop.
POSTIMI I PLOTË:
“PËR HERË TË PARË, KOMUNA E BOGOVINËS NDAN ÇMIME PËR NXËNËSIT MË TË DALLUAR
Sot, në një ceremoni të organizuar nga Komuna e Bogovinës, pata kënaqësinë dhe nderin që të ndaj mirënjohje, çmime dhe dhurata për nxënësit më të dalluar të komunës sonë, të cilët me sukseset e tyre kanë shkëlqyer në gara komunale, shtetërore, rajonale dhe ndërkombëtare.
Në praninë e drejtorëve të shkollave, arsimtarëve, prindërve dhe mysafirëve të tjerë, u ndanë çmime dhe mirënjohje për nxënësit që kanë përfaqësuar me sukses komunën tonë në aktivitete dhe gara të ndryshme. Me këtë rast, vlerësuam lart punën, përkushtimin, talentin dhe rezultatet e jashtëzakonshme të nxënësve tanë, duke theksuar se ata janë shembulli më i mirë i suksesit që arrihet përmes dijes, disiplinës dhe angazhimit të vazhdueshëm. Sukseset e tyre jo vetëm që i bëjnë krenare familjet, arsimtarët dhe shkollat e tyre, por e prezantojnë denjësisht edhe Komunën e Bogovinës në çdo garë dhe aktivitet ku marrin pjesë, duke u shndërruar në ambasadorët më të mirë të komunës sonë.
Me titullin “Nxënësja më e mirë e Komunës së Bogovinës” u shpall nxënësja Elma Abazi nga SHFK “Abdyl Frashëri” në Bogovinë, e cila për rezultatet e saj të shkëlqyera u shpërblye me një laptop. Gjithashtu, edhe nxënësit e tjerë të dalluar u shpërblyen me dhurata dhe mirënjohje nga Komuna e Bogovinës.
Ky aktivitet shënon fillimin e një tradite të re në komunën tonë, ku suksesi, dija dhe puna e palodhshme do të vlerësohen dhe promovohen vazhdimisht.
Komuna e Bogovinës do të vazhdojë të mbështesë maksimalisht arsimin dhe të motivojë nxënësit tanë që të arrijnë rezultate edhe më të mëdha në të ardhmen, sepse investimi në arsim dhe në gjeneratat e reja është investimi më i sigurt për zhvillimin dhe të ardhmen e komunës sonë.
Urime të gjithë nxënësve të shpërblyer, prindërve, arsimtarëve dhe shkollave për sukseset e arritura! Ju dëshiroj edhe më shumë suksese në rrugëtimin tuaj drejt dijes dhe ekselencës”.


