Në kuadër të manifestimit “Vera Kulturore e Çairit 2026”, Komuna e Çairit organizoi ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve dhe vauçerëve për nxënësit e dalluar të gjeneratës nga shkollat fillore të komunës.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ndau mirënjohje dhe vauçerë për 9 nxënësit e dalluar të gjeneratës nga nëntë shkollat fillore të komunës, duke vlerësuar rezultatet e tyre të shkëlqyera, përkushtimin dhe shembullin që ata përfaqësojnë për bashkëmoshatarët e tyre.
“Nxënësit e dalluar janë shembulli më i mirë se puna, përkushtimi dhe dija gjithmonë shpërblehen. Suksesi i tyre është krenari për familjet, shkollat dhe gjithë komunitetin tonë”, theksoi Mexhiti.
Ai nënvizoi se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të Komunës së Çairit dhe se çdo investim në shkolla, në kushte më të mira mësimi dhe në mbështetje për nxënësit është investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e shoqërisë.
Gjatë ceremonisë, mirënjohje iu ndanë edhe drejtorëve të nëntë shkollave fillore të komunës, si shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në procesin edukativo-arsimor dhe në krijimin e kushteve për zhvillimin dhe suksesin e nxënësve.
Duke uruar gjysmëmaturantët për përfundimin e arsimit fillor, Mexhiti i inkurajoi ata që të vazhdojnë të punojnë me të njëjtin përkushtim, të besojnë në aftësitë e tyre dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat dhe synimet që kanë për të ardhmen.


