Sipas pretendimit të Aleksandër Malenkos, Nikola Gruevski nuk iku nga shtëpia e tij në Shkup, por pikërisht nga ky hotel në Ohër, në datën 10 nëntor 2018, rreth orës 02:40 pas mesnate. Malenko thotë se ai personalisht ia ka hapur garazhin e hotelit që të dilte Gruevski, i cili u largua me një makinë të tipit Passat, të cilën e drejtonte shoferi i tij, ndërsa në makinë ndodheshin edhe njerëz të sigurimit të tij personal. Ndërkaq, familja e Gruevskit, bashkëshortja dhe vajzat, mbetën në hotel dhe e vazhduan qëndrimin e tyre.
Sipas Malenkos, Gruevski kishte mbërritur në Ohër tri ditë më parë — më 7 nëntor 2018 në mbrëmje — me dy automjete, njëra prej të cilave ishte e MPB-së nga Drejtoria e Gjashtë për sigurim dhe ndjekje, ndërsa tjetra ishte makina e tij private me shoferin dhe sigurimin. Gruevski kishte mbërritur bashkë me familjen, ndërsa Malenko i kishte pritur në garazh. Qëndrimi i tij ishte paralajmëruar sipas protokollit të MPB-së si mysafirë VIP, pa u treguar saktësisht se për kë bëhej fjalë, gjë që është një procedurë standarde sigurie.
Më vonë, Gruevski mbërriti në Budapeshtë të Hungarisë në rrethana të pasqaruara plotësisht, pasi paraprakisht kishte kaluar përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Në Maqedoni u hap një hetim për këtë rast, por askush nuk mbajti përgjegjësi.


