“Bechtel & Enka” ka marrë mbi 19 milionë euro gjatë gushtit për ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10d

Shteti, përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRSh), ka paguar gjatë muajit gusht të këtij viti 1.200.875.741 denarë (rreth 19,5 milionë euro) konsorciumit “Bechtel & Enka”, që po i realizon autostradat në korridoret 8 dhe 10d – në segmentet Tetovë–Gostivar (18 km), Gostivar–Bukojçan (30 km) dhe Prilep–Manastir (40 km).

Sipas të dhënave të NPRSh-së, nga fillimi i vitit janë realizuar disa pagesa ndaj kompanisë:

  • në prill, 599.794.350 dhe 524.972.228 denarë,

  • në maj, 681.026.665 denarë,

  • në qershor, 830.336.364 denarë,

  • dhe në korrik, 1.022.217.192 denarë.

Sipas raportit të mbikëqyrjes së punimeve, gjatë gushtit janë zhvilluar kryesisht punime gjeoteknike, projektim teknik, dizajn për eksproprijim, rregullim të trafikut, rrënim objektesh ekzistuese dhe punë ndërtimore në tokë, drenazhë dhe struktura.

Në kuadër të projektit, duhet të zhvendosen ose mbrohen mbi 300 rrjete ekzistuese komunale. Prej gushtit 2025, kompani të specializuara janë angazhuar për projektimin dhe mbrojtjen e rrjeteve të ujësjellësit, kanalizimit, telekomit dhe energjisë elektrike, ndërsa tenderi për linjat me tension të lartë është ende në proces.

Aktualisht po zhvillohen punime për shtyllat, themelet, urat, nënkalimet dhe mbikalimet në segmentet Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan dhe Prilep–Manastir. Në terren janë aktive gjashtë ura, katër mbikalime dhe tre nënkalime.

Deri në korrik, “Bechtel & Enka” kishte të angazhuar 2090 punëtorë dhe 1202 makina ndërtimi. Sipas drejtorit të NPRSh-së, Koce Trajanovski, aktualisht në segmentet Gostivar–Tetovë dhe Gostivar–Bukojçan punojnë rreth 1200 persona dhe 750 njësi mekanike, përfshirë nënkontraktorët.

“Rreth 60 për qind e furnitorëve dhe 90 për qind e nënkontraktorëve janë kompani vendore”, tha Trajanovski.

Punimet në terren po zhvillohen në kuadër të kontratës me “Bechtel & Enka”, me vlerë 1,3 miliardë euro, të nënshkruar më 22 prill 2023. Ende nuk kanë filluar punimet për segmentin Trebenishtë–Qafëasan (22 km), pasi po rishikohet trasa për shkak të mbrojtjes së Liqenit të Ohrit dhe zonës përreth.

Deri në fund të vitit të kaluar, “Bechtel & Enka” kishte marrë 261 milionë euro pagesa nga shteti për punimet në korridoret infrastrukturore.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT