Frika nga atentatet: Putini rrit numrin e truprojave për herë të katërt që nga fillimi i luftës

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret për rritjen e numrit të stafit në administratën qendrore të Shërbimit Federal të Mbrojtjes (FSO), agjencia elitare përgjegjëse për sigurinë e tij personale dhe të udhëheqësve më të lartë shtetërorë. Ky është ndryshimi i katërt i këtij lloji që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, duke dëshmuar për një përshkallëzim të masave të sigurisë rreth kreut të Kremlinit.

 

Sipas dekretit, i cili hyri në fuqi më 1 korrik, numri maksimal i punonjësve ushtarakë dhe civilë në administratën qendrore të FSO-së u rrit nga 785 në 812. Për krahasim, para fillimit të luftës në vitin 2022, ky kufi ishte 725 punonjës, çka tregon për një rritje prej afërsisht 12% të stafit që merret drejtpërdrejt me planifikimin e mbrojtjes së Putinit. FSO-ja nuk është vetëm një “mburojë” fizike, por një institucion kyç që menaxhon edhe sistemet e komunikimit të arsenalin bërthamor rus, si dhe sigurinë e rezidencave presidenciale dhe ndërtesave qeveritare.

Media të pavarura ruse vënë në dukje se ky zgjerim është i pazakontë, pasi po ndodh në mes të vitit, ndërkohë që më parë këto ndryshime bëheshin vetëm në fillim ose në fund të vitit. Ky lëvizje vjen mes raporteve të vazhdueshme nga mediat perëndimore se presidenti rus po jeton në një paranojë në rritje për shkak të frikës nga një atentat ose një përpjekje për grusht shteti.

Masat e sigurisë rreth Putinit janë bërë gjithnjë e më rigoroze. Inteligjenca evropiane raporton se personeli që vjen në kontakt të drejtpërdrejtë me të duhet t’i nënshtrohet protokolleve strikte: ndalim i telefonave celularë, heqje e orëve të dorës dhe mbajtje e maskave mbrojtëse. Gjithashtu, Putin ka reduktuar ndjeshëm udhëtimet, ndërsa vizitat e tij jashtë vendit, si ajo e fundit në Kazakistan, shoqërohen nga një logjistikë ushtarake ekstreme, duke përfshirë automjete të blinduara, helikopterë dhe sisteme të sofistikuara të bllokimit elektronik.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT