Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkupin mbrëmjen e 12 korrikut, ku një konflikt familjar ka përfunduar me vrasje. Siç njofton KohaNEWS, një 31-vjeçar ka mbetur i arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka vrarë me thikë babanë e tij.
Sipas informacioneve paraprake të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjithçka ka nisur rreth orës 22:35 në shtëpinë familjare. 52-vjeçari, E.L., i cili ishte nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 54-vjeçare. Në përpjekje për të ndërhyrë, djali i tyre, 31-vjeçari B.Xh., dyshohet se e ka goditur babanë me thikë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Siç transmeton KohaNEWS, forcat policore kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke arrestuar autorin e dyshuar, ndërsa nëna 54-vjeçare është dërguar në Spitalin “Shën Naum i Ohrit” për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i 52-vjeçarit është dërguar për obduksion, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të rastit për ngritjen e kallëzimit përkatës penal ndaj të riut.
/KohaNEWS


