Prishtinë: Shteti nis hetimet pasi dyshohet se mijëra fëmijë nga diaspora marrin shtesa çdo muaj

Pas rritjes së shtesave për fëmijë në tridhjetë euro, Ministria e Financave ka nisur një proces të gjerë verifikimi për pastrimin e listave të përfituesve në të gjithë territorin e Kosovës, përcjell KohaNEWS.

 

Alarmi për këtë situatë vjen pas largimit të mbi 37 mijë qytetarëve nga vendi brenda vetëm një viti, çka ka ngritur dyshime të forta se mijëra fëmijë që jetojnë në mërgim vazhdojnë të paguhen padrejtësisht nga buxheti i shtetit. Ndonëse rreth 400 mijë fëmijë figurojnë si përfitues mujorë, autoritetet po kryejnë krahasimin e të dhënave përmes platformës e-Kosova për të zbuluar familjet që përfitojnë jashtë ligjit.

Liridon Llozani, këshilltar për media në ministri, ka konfirmuar se një numër i konsiderueshëm personash i janë nënshtruar kontrollit, ndërsa ekspertët e çështjeve sociale theksojnë nevojën urgjente për kritere të qarta ligjore dhe ndërlidhje më të mirë të sistemeve elektronike institucionale. Deri në miratimin e një baze të re ligjore, platformat digjitale do të shërbejnë si filtër kryesor për mbrojtjen e fondeve publike.

/KohaNEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT