Sistemi shëndetësor në Strugë ka shënuar një hap të madh cilësor përmes realizimit të donacionit të dytë, rezultat i bashkëpunimit mes kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, drejtorëve të spitaleve të Strugës, Dr. Jetmir Ziba dhe Dr. Vlado Bunçeski, si dhe mbështetjes së spitalit gjerman “Carl von Basedow Klinikum” ku ushtron veprimtarinë mjeku ynë Dr. Shkëlqim Reçi, përcjell KohaNEWS.
Ky donacion përfshin gjithsej 11 monitorë modernë për ndjekjen e gjendjes së pacientëve. Dy prej tyre janë dorëzuar tashmë, ndërsa transporti për nëntë monitorët e tjerë është organizuar dhe pritet të mbërrijë së shpejti, duke bërë të mundur pajisjen e plotë të të dy spitaleve të qytetit për monitorimin e pacientëve në gjendje kritike.
Krahas kësaj, për herë të parë në spitalet e Strugës po finalizohet përgatitja e dhomave të kujdesit intermediar (Intermediate Care). Këto njësi të reja do të mundësojnë trajtimin e pacientëve më të rëndë përmes monitorimit multifunksional të parametrave jetësorë, ventilimit jo-invaziv (CPAP) dhe mbikëqyrjes së avancuar të presionit të gjakut, duke shmangur nevojën për transferim në repartet e kujdesit intensiv dhe duke rritur ndjeshëm sigurinë e shërbimit mjekësor.
/KohaNEWS


