Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, së bashku me drejtoreshën e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, Ivana Ginovska, dhe drejtorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov, mbajtën sot konferencë për media lidhur me gjetjet e inspektimit të kryer nga ISHMJ në Gostivar.
Konferencën e hapi ministri Hoxha, i cili theksoi:
“Në emër të Qeverisë, më lejoni që para së gjithash të shpreh shqetësimin tim për të gjithë qytetarët e prekur nga Gostivari dhe rajoni i Pollogut. Si institucione, po e ndjekim me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve dhe dëshiroj t’i siguroj qytetarët e Gostivarit se Qeveria po i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme, në kuadër të kompetencave të saj, dhe kështu do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Para së gjithash, dua të theksoj qartë se pres që të përcaktohen plotësisht të gjitha faktet dhe rrethanat, si dhe të konstatohet përgjegjësia penale dhe morale e të gjithë atyre që, me veprimet ose mosveprimet e tyre, kanë kontribuar në krijimin e kësaj gjendjeje.
Kur rrezikohet shëndeti i qytetarëve, nuk guxon të ketë kompromise, e as fshehje të përgjegjësisë.”
Në konferencën për media, drejtoresha e ISHMJ-së, Ivana Ginovska, prezantoi gjetjet e inspektimit të kryer nga Inspektorati. Ajo theksoi:
“Më 16.07.2026, me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike të Gostivarit, ISHMJ lëshoi urdhër për kryerjen e një mbikëqyrjeje të jashtëzakonshme inspektuese në lokacionin e identifikuar. Mbikëqyrja u realizua nga inspektorët shtetërorë të mjedisit jetësor, në koordinim me përfaqësues të policisë anti-krim, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Qendrave për Shëndet Publik të Shkupit dhe Tetovës, si dhe me përfaqësues të Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Komunalec’ – Gostivar. Inspektimi në terren u zhvillua nga ora 19:00 deri në orën 23:00.
Bazuar në gjendjen faktike të konstatuar dhe në përputhje me kompetencat ligjore, është përpiluar procesverbali përkatës, i cili tashmë i është dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike të Gostivarit.
Gjithashtu, ISHMJ kreu kontroll edhe lidhur me Lejen për shfrytëzimin e ujit për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Gostivarit dhe disa vendbanimeve rurale, e lëshuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për NPK ‘Komunalec’ – Gostivar. Gjatë inspektimit u konstatua se kapja e ujit, për të cilën është informuar edhe opinioni publik, nuk është pjesë përbërëse e lejes që posedon ‘Komunalec’- Gostivar, ndërsa uji merret nga një trup ujor që aktualisht graviton në një kanal të hapur ekzistues.”
Në vijim të fjalës së tij, ministri Hoxha theksoi:
“Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet plotësisht e përkushtuar në krijimin e kushteve për një infrastrukturë komunale më cilësore. Aktualisht po zbatojmë ciklin më të madh investues në këtë fushë, me qindra projekte infrastrukturore në komunat e vendit, të orientuara drejt përmirësimit të furnizimit me ujë, sistemeve të kanalizimit, impianteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Do të vazhdojmë t’i mbështesim komunat me investime, ndihmë profesionale dhe politika që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.
Por investimet, në vetvete, nuk janë të mjaftueshme. Çdo bartës i një funksioni publik dhe çdo institucion, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, duhet t’i ushtrojë kompetencat e veta në mënyrë profesionale, në përputhje me ligjin dhe me përgjegjësi.
Vetëm kështu mund të ndërtojmë një sistem në të cilin raste të tilla nuk do të përsëriten.”


