Sot, Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, priti në një takim dy të rinj të talentuar dibranë, Eugen Papraniku dhe Jonus Aziri, të cilët janë kthyer me sukses të jashtëzakonshëm nga “Coding Olympiad” e mbajtur në Romë.
Në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare, Eugeni u kurorëzua me 2 medalje, ndërsa Jonusi u nderua me 3 medalje, duke dëshmuar se puna e palodhur, përkushtimi dhe pasioni për teknologjinë sjellin rezultate kulmore.
Gjatë takimit, kreu i komunës zhvilloi një bashkëbisedim frymëzues me ta rreth zhvillimeve në fushën e programimit, inteligjencës artificiale dhe hapësirave që teknologjia u ofron gjeneratave të reja. Z. Mela theksoi se Komuna e Dibrës do të mbetet gjithmonë mbështetëse e talenteve të rinj, të cilët përbëjnë shtyllën kryesore të së ardhmes dhe zhvillimit të qytetit.
Ky sukses nuk është vetëm një arritje personale e dy djemve, por edhe një dëshmi e qartë e potencialit të madh që Dibra zotëron në fushën e inovacionit dhe dijes.
Një falënderim i veçantë dhe mirënjohje shkon edhe për mentorët e Digital School Macedonia për udhëheqjen dhe mbështetjen e tyre profesionale drejt këtij triumfi.


