KF Shkëndija ka regjistruar një humbje me rezultatin 2-1 në transfertë përballë skuadrës sllovene Bravo, në kuadër të ndeshjes së parë të vlefshme për kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Nënkampionit i Maqedonisë së Veriut e nisi mbarë sfidën, duke kaluar i pari në epërsi qysh në minutën e 10-të, kur Endrit Krasniqi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë për t’i dhënë avantazhin kuqezinjve. Megjithatë, vendësit reaguan shpejt duke barazuar shifrat në minutën e 18-të përmes 19-vjeçarit Kopatin.
Në pjesën e dytë, sllovenët kompletuan përmbysjen e rezultatit në minutën e 56-të me anë të Jakov Stankoviç, i cili siguroi fitoren 2-1 për ekipin e tij.
Pavarësisht këtij rezultati negativ, Shkëndija ruan shanset e kualifikimit dhe do të ketë mundësinë e përmbysjes javën e ardhshme në Shkup, ku para mbështetjes së tifozëve të vet do të kërkojë përmbysjen e epërsisë minimale për të siguruar kalimin në fazën tjetër.
/ kohanews


