Kanabisi që kultivohet në mënyrë ligjore në Kanada po përfundon gjithnjë e më shumë në tregun e zi në Evropë, ku grupet kriminale përfitojnë fitime marramendëse. Sipas një hetimi të fundit, marihuana me përqendrim të lartë nga fermat kanadeze po vërshon portet evropiane, me në krye atë të Antwerp-it në Belgjikë.
Vetëm vitin e kaluar, dogana belge sekuestroi 32 tonë kanabis (pesë herë më shumë se vitin paraprak), ku 21 tonë kishin origjinën nga Kanadaja. Ngarkesat nisen nga portet si Vancouver, Montreal, Halifax dhe St. John, të fshehura brenda kontejnerëve detarë.
Diferenca e çmimit dhe rritja e korrupsionit
Shkaku kryesor i këtij boom-i të kontrabandës është fitimi i jashtëzakonshëm financiar. Një kilogram kanabis në Kanada kushton rreth 800 funte, ndërsa në Evropë arrijë deri në 4500 funte. Pas legalizimit, tregu kanadez u mbush tej masës, duke shtyrë rrjetet kriminale ta drejtojnë mallin drejt Evropës.
Autoritetet belge raportojnë se bandat në Antwerp paguajnë deri në 40.000 funte punonjës të korruptuar të portit për të devijuar kontejnerët drejt zonave pa kontrolle. Më pas, droga shpërndara drejt Holandës, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Kjo situatë ka rritur frikën se Belgjika po shndërrohet në një narko-shtet, për shkak të dhunës, kërcënimeve ndaj gjyqtarëve dhe zyrtarëve doganorë nga ana e bandave.
Kërkesa e lartë për “Cali weed”
Në tregun evropian, përfshirë metropolet si Brukseli, Parisi, Londra dhe Berlini, kërkesa më e madhe është për llojin e fuqishëm të njohur si “Cali weed”, i cili përmban 28 deri në 30 për qind THC (dy herë më shumë se varietetet e kultivuara në Spanjë).
Megjithëse Kanadaja e legalizoi kanabisin në vitin 2018 për të luftuar tregun e zi, hetuesit evropianë theksojnë se është krijuar një efekt i kundërt i papritur. Autoritetet kanadeze dhe britanike po regjistrojnë shifra rekord sekuestrimesh, ku vetëm në Britani të Madhe u kapën 12 tonë kanabis me vlerë 139 milionë funte, duke shënuar rekord historik.


