Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me Drejtorin e Spitalit të Dibrës, Mersim Koleci, dhe këshilltarin Afrim Krkuti, kanë zhvilluar një vizitë mirënjohëse në konakun e z. Refik Kosovrasti, përfaqësues i “Dibra Community Center” nga New Jersey, me rastin e donacionit të një aparature të avancuar mjekësore – “ECHO” – për nevojat e spitalit të Dibrës.
Ky donacion, i mundësuar nga anëtarët e bordit të DCC-së, Baudin Çanka dhe Refik Kosovrasti, konsiderohet kontribut i rëndësishëm jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e rajonit.
Gjatë takimit, Kosovrasti theksoi se mbështetja e diasporës për Dibrën ka rrënjë të hershme dhe se angazhimi i saj do të vijojë edhe në të ardhmen.
Ministri Aliu njoftoi se së shpejti pritet të realizohet një takim i posaçëm në ambientet e DCC-së në New Jersey, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe konkretizimin e projekteve të reja për Dibrën.
“Faleminderit Dibra Community Center për dashurinë dhe kujdesin ndaj Dibrës,” u shpreh Aliu, duke ritheksuar se bashkëpunimi me diasporën është një prej shtyllave kyçe për zhvillimin e shëndetësisë në vend.

