Autogol politik në Tetovë: Anëtarët e BDI-së pranojnë se u përfaqësuan nga njerëz të pamoralshëm

Tetovë – Pas humbjes në zgjedhjet lokale në Tetovë, brenda Bashkimit Demokratik për Integrim po thellohet pakënaqësia. Zyrtarë dhe aktivistë të degës së Tetovës kanë reaguar ashpër, duke kërkuar dorëheqje dhe përgjegjësi për figurat që, sipas tyre, kanë cenuar dinjitetin e qytetit dhe të partisë.

Anëtari i degës së BDI-Tetovë, Elmir Emini, në një reagim publik apeloi për ruajtjen e moralit dhe dinjitetit qytetar:

“Ne si tetovarë nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj humbjes së moralit dhe dinjitetit. Tetova ka lindur burra e gra me nder. Nuk duhet të lejojmë që disa zëra të errët ta njollosin emrin e Tetovës. Dorëheqje për të pamoralshmit.”

Edhe ish-këshilltari i BDI-së në Tetovë, Veton Murati, kërkoi masa konkrete nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti:

“Mundi i aktivistëve të Tetovës nuk mund të shkojë kurban i talljeve të atyre që në kulmin e pushtetit kanë goditur Tetovën nga brenda. Reformimin ta fillojë nga ata që na ofenduan ne tetovarëve.”

Në vijim, Sekretariati për Mundësi të Barabarta i BDI-së – Dega Tetovë publikoi qëndrim zyrtar, duke theksuar se zhvillimet e fundit kërkojnë reflektim të thellë në parti:

“BDI-ja është ndërtuar mbi vlera të integritetit, drejtësisë dhe barazisë. Kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe etikë në çdo nivel. Ne mbesim të përkushtuara ndaj vizionit të Ali Ahmetit, por kërkojmë reforma dhe rikthimin e besimit te qytetarët.”

Këto reagime shihen si një pranim i përgjegjësisë së brendshme nga anëtarë të BDI-së, të cilët indirekt po konfirmojnë se brenda strukturave kishte elementë që, sipas tyre, “kanë dëmtuar imazhin dhe nderin e Tetovës”, si dhe koalicionin AKI në zgjedhje.

Ky moment shihet si pjesë e krizës së brendshme pas humbjes, me kërkesa për pastrim politik dhe reformim të strukturave.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com