Tetova po humb fytyrën mes betonit: Ndërgjegjja qytetare përballë ndërtimit pa standard

Në Tetovë po luhet një tragjedi urbane, ngadalë e në heshtje. Çdo ditë, ndërtesa të reja ngrihen pa kriter, duke u mbështetur mbi kockat e një qyteti që dikur frymonte me gjelbërim, hapësirë dhe dritë. Sot, gjithnjë e më shumë banorëve të lagjeve të vjetra u zihen pamjet, dielli dhe ajri. Qyteti po mbytet nga betonizimi i pandalshëm, e ndërtesat e reja shpesh ndërtohen pa standarde, pa plan urban dhe pa respekt për qytetin e njerëzit.

Fatin e tillë sot po e përjeton edhe Blloku 70 në Tetovë, ku ndërtesave të vjetra po u zihet pamja në mënyrë të tmerrshme. Banorët nuk e shohin më diellin, e me sy nuk shohin një rreze drite. Dikur dritaret hapeshin kah gjelbërimi e qielli, sot hapen kah një mur betoni. Si mund të ndryshohen planet urbanistike brenda nate? Kush ua jep të drejtën të shkelin mbi jetën e të tjerëve?
Pyetja që lind natyrshëm është: A kanë pikë gjaku? A kanë ndërgjegje këta investitorë? A e mendojnë përpasojën e veprimit të tyre, apo thjesht numërojnë përfitimet duke harruar se qyteti është i të gjithëve?

Kush janë ata që japin leje për këto ndërtime të egra?
Kush janë ata që nënshkruajnë, që mbyllin sytë, që shesin të ardhmen e qytetit për interesa personale? A është kjo planifikim urban apo thjesht tregti me oksigjenin e qytetarëve? Lejet që firmosen në letra, nesër kthehen në mur të errët para dritareve të njerëzve të pafajshëm.
A kanë pikë gjaku? A kanë ndërgjegje?
A mendojnë për ndonjë moment se mbi ato letra firmoset edhe një fat – fati i Tetovës?

Dhe nëse nesër ndodh një emergjencë? Ambulanca si do të hyjë mes lagjeve të ngushtuara si labirinte betoni? A do të arrijë në kohë te i sëmuri, te i moshuari? Edhe sot ndihma e shpejtë vonohet e shpesh arrin për të vdekur, jo për të shpëtuar. A mendojnë këta njerëz që japin leje dhe këta që ndërtojnë vetëm për fitim? A e kuptojnë se jeta e dikujt mund të ndalet për shkak të një dere që nuk hapet, një rruge që nuk kalohet, një rreze dielli që nuk hyn më kurrë?

Tetova është duke e humbur hijeshinë e vet natyrore – dhe kjo nuk ndodh nga fatkeqësia, por nga mungesa e ndërgjegjes dhe nga lakmia e pak njerëzve që shohin në qytet vetëm mall tregtie. Në vend që të ndërtojmë një Tetovë të gjelbër, të shëndetshme dhe moderne, po krijojmë barriera betoni që na largojnë nga drita dhe shpresa.

Edhe feja jonë e bukur na thërret drejt përgjegjësisë sociale. Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Heqja e një guri nga rruga është sadaka.”
Nëse heqja e një pengese nga rruga është sevap, atëherë çfarë thotë ndërgjegjja për ata që ngrejnë pengesa të përhershme para dritares së fqinjit? Para oborrit ku luanin fëmijët? Para shpirtit të qytetit tonë?

Këto ndërtime nuk janë zhvillim – janë pengesa, padrejtësi dhe mungesë morali qytetar. Asnjë qytet nuk mund të zhvillohet duke u ndërtuar mbi të drejtat e tjetrit, mbi dritën e tjetrit, mbi gjelbërimin që i takon të gjithëve.

Apel për të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm të Tetovës:
Mos i blini këto banesa të ndërtuara pa standarde, pa plan dhe pa shpirt. Mos u bëni pjesë e shkatërrimit të qytetit tonë. Investoni në të ardhmen, jo në gabimet e sotme. Mbroni veten, familjen dhe brezat që do të vijnë. Tetova është shtëpia jonë – le ta mbrojmë me mendje, me zemër dhe me dinjitet.

Qyteti nuk ndërtohet vetëm me tulla; ndërtohet me ndërgjegje. Dhe ruajtja e Tetovës sot është amanet për nesër.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com