Vizitë studimore e studentëve të Universitetit Ballkanik në Xhaminë e Pashës

Në kuadër të projektit ndërkombëtar “NotTheSame: Nisma për Barazi në Dizajn”, një grup studentësh të Fakultetit të Artit dhe Dizajnit nga Universiteti Ballkanik në Shkup vizituan Xhaminë e Pashës në Tetovë, më 31 tetor 2025. Projekti udhëhiqet nga Asst. Prof. Dr. Egemen Sunal dhe përfshin bashkëpunëtorë akademikë nga Departamenti i Arkitekturës së Brendshme në Universitetin Yeditepe, si dhe 30 studentë pjesëmarrës.

Gjatë vizitës, mysafirët u pritën nga Referenti i Myftinisë së Tetovës, Mr. Mahmud ef. Emini dhe imami i Xhamisë së Pashës, Mr. Hfz. Emir ef. Kasami. Ata informuan studentët mbi historikun, vlerat arkitektonike dhe trashëgiminë shpirtërore të kësaj xhamie monumentale.

Projekti “NotTheSame” është një platformë ndërkombëtare mësimore dhe bashkëpunimi që trajton trashëgiminë kulturore, identitetin dhe hapësirën përmes një perspektive kreative të dizajnit. Ai synon të ndërtojë ura midis traditës dhe dizajnit bashkëkohor, duke nxitur ndjeshmëri, barazi dhe qasje inovative në krijimtarinë hapësinore.

Në kuadër të këtij programi, studentët kryen vëzhgime dhe kërkime në Xhaminë e Alacës dhe Xhaminë e Pashës, duke zhvilluar më pas koncepte dizajni të frymëzuara nga trashëgimia kulturore. Rezultatet e punëtorisë do të prezantohen në një ekspozitë të veçantë, ku do të ndahen me rrethet akademike dhe kulturore.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com