Vazhdojmë fuqishëm me Fisnik Mela dhe Afrim Krkuti!
Të nderuar miq, shokë, familjarë dhe bashkëqytetarë dibranë, Nga sot edhe zyrtarisht jam bartës i listës së koalicionit VLEN – Dega Dibër për zgjedhjet lokale 2025. Sinqerisht nuk e prisja këtë vlerësim e mirënjohje nga Fisniku dhe unanimiteti i koalicionit, që pikërisht mua të më besohet detyra për të udhëhequr karvanin e këshilltarëve të kësaj fryme të re frymë që kërkon ndryshim rrënjësor në çdo aspekt të funksionimit, menaxhimit dhe të ardhmes së Dibrës. E pranova këtë përgjegjësi pa hezitim, edhe pse është një obligim i rëndë, sepse gjatë 33 viteve të angazhimit tim jam mbështetur gjithmonë në parimin se djersa, gjaku dhe loti janë të shenjta dhe kurrsesi nuk duhet të shkelen.
Mbi këto parime do të punojmë e do të angazhohemi bashkë me udhëheqjen e Fisnikut, të bindur se do t’ia dalim që Dibrën ta bëjmë sërish të Madhe, ashtu siç na e lanë të parët tanë dhe siç e njeh historia. Të nderuar bashkëqytetarë, do të trokasim derë më derë të shtëpive tuaja, do të kërkojmë përkrahjen tuaj, por po aq do të dëgjojmë idetë, sugjerimet dhe udhëzimet tuaja, që të jenë pjesë e projekteve dhe planeve tona për çdo lagje, rrugë e mahallë të Dibrës sonë që kërkon Ndryshim. Është koha për të kërkuar një Dibër ndryshe: • një Dibër me fëmijë të lumtur, • me një rini që ka mundësinë të shprehë kapacitetet e saj, të edukohet, të avancohet dhe të ecë drejt suksesit, • një Dibër me prindër krenarë që i kanë fëmijët pranë, • një Dibër simbol të pastërtisë e mikpritjes, trimërisë e besnikërisë, • një Dibër shembull të bashkëjetesës etnike e fetare, • një Dibër ku do të jetohet me dinjitet dhe mirëqenie. Faleminderit Fisnik për vlerësimin, faleminderit secilit anëtar të koalicionit për besimin dhe mirënjohjen që më ofruat. Na priftë e mbara në këtë rrugëtim të përbashkët! Dibra me Fisnikun, VLEN për Ndryshimin.