Kosova përgatitet për Slloveninë dhe Zvicrën, Foda: “Qëllimi është play-off-i”

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, foli sot para gazetarëve në ditën e parë të grumbullimit të Dardanëve, për dy ndeshjet vendimtare të ciklit kualifikues për Botërorin 2026 kundër Sllovenisë dhe Zvicrës.

Foda theksoi se fokusi i ekipit është ndeshja e radhës me Slloveninë dhe nënvizoi rëndësinë e sigurimit të së paku një pike për kualifikimin në play-off. Ai garantoi se lojtarët janë në formë të mirë, duke përmendur rikthimin e Amir Rrahmanit dhe gjendjen e Edon Zhegrovës.

Për mungesën e portierit Aro Muriq, i pezulluar për ndeshjen e parë, Foda tha se ekipi ka katër portierë të gatshëm, ku do të vendoset se cili do ta zëvendësojë.

Sa i përket Sllovenisë, përzgjedhësi tha se ekipi është i përgatitur për formacionin e tyre defanziv dhe se lojtarët si Rrahmani, Dellova dhe Zabërgja do të jenë alternativa të rëndësishme.

Kosova luan me Slloveninë më 15 nëntor në Lubjanë dhe tri ditë më vonë me Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Stërvitja e parë e Dardanëve zhvillohet sot në orën 17:00.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com