BE-ja po vendos tarifa deri në 35 për qind për makinat elektrike nga Kina
Komisioni Evropian me dekret vendosi tarifa shtesë për makinat elektrike të importuara nga Kina, të cilat i konsideron si konkurrencë të pandershme.
Pavarësisht kundërshtimit nga Gjermania, Brukseli vendosi të shtojë deri në 35 për qind në taksën 10 për qind të vendosur tashmë për automjetet me bateri të prodhimit kinez, sipas tekstit të rregullores të publikuar nga Komisioni.
Vendimi do të publikohet në Gazetën Zyrtare të BE-së të mërkurën dhe do të hyjë në fuqi të enjten.
Qëllimi i deklaruar është të rivendoset një fushë loje e barabartë me prodhuesit e akuzuar se kanë përfituar nga subvencione të mëdha publike nga shteti kinez. Kjo përfshin mbrojtjen e industrisë evropiane të makinave dhe rreth 14 milionë vendeve të saj të punës nga praktikat kineze që konsiderohen të padrejta.
Pekini i dënoi ato si “praktika të padrejta dhe të paarsyeshme proteksioniste” pasi vendet e BE miratuan tarifat shtesë të propozuara nga Komisioni Evropian në fillim të tetorit.
Komisioneri Evropian i Tregtisë Valdis Dombrovskis negocioi me ministrin kinez të tregtisë Wang Wentao deri në minutën e fundit për të gjetur një zgjidhje, por më kot.
Pavarësisht gjithçkaje, të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë bisedimet dhe shtesat mund të hiqen nëse arrihet një marrëveshje për mjete të tjera kompensimi për dëmin e përcaktuar nga hetimi evropian.
Kina kërcënon të godasë interesat evropiane. Ajo tashmë është përgjigjur duke nisur hetime anti-dumping për importet e mishit të derrit, produkteve të qumështit dhe pijeve alkoolike me bazë vere nga Evropa, përfshirë konjakun.