UNT DHE UNIVERSITETI “İSTANBUL MEDENIYET” NËNSHKRUAN MEMORANDUM MIRËKUPTIMI

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, priti në një takim pune delegacionin e Universitetit “İstanbul Medeniyet” nga Turqia, të udhëhequr nga rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Gülfettin Çelik. Ky takim u zhvillua në frymën e bashkëpunimit akademik dhe shkencor dhe pasoi me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet dy institucioneve.
Marrëveshja u nënshkrua nga rektorët Prof. Dr. Bekim Fetaji dhe Prof. Dr. Gülfettin Çelik, me synim të fuqizimit të partneritetit në fushën e arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të programeve të përbashkëta akademike.
Memorandumi parasheh zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe shkencore, shkëmbimin e përvojave akademike e profesionale, ofrimin e mundësive për trajnime dhe praktika për studentë dhe staf, si dhe nxitjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare për rritjen e kapaciteteve akademike.
Në fjalën e tij, rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji theksoi se ky Memorandum përbën një hap strategjik për UNT-në, i cili u mundëson studentëve dhe stafit qasje më të gjerë në rrjetet akademike ndërkombëtare. Ndërsa rektori Prof. Dr. Gülfettin Çelik e vlerësoi këtë bashkëpunim si një urë të fortë mes dy institucioneve dhe dy vendeve mike.
Në këtë takim pune, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, ishte i shoqëruar nga prorektorët Prof. Inor. Dr. Fati Iseni, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili dhe Prof. Dr. Zoran Gacovski, si dhe nga Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela dhe Mr. Driton Zendeli. Nga ana tjetër, rektori i UİM-së, Prof. Dr. Gülfettin Çelik, ishte i shoqëruar nga Prof. Dr. Faruk Bal, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike, dhe Mr. Sevba Abdula.
Me këtë marrëveshje, të dyja universitetet riafirmojnë përkushtimin për ngritjen e cilësisë akademike dhe përgatitjen e brezave të rinj me dije dhe kompetenca bashkëkohore, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e arsimit dhe shkencës.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT