Barcelona sfidon Federatën Spanjolle: Lamine Yamal “largohet” nga Kombëtarja për shkak të trajtimit mjekësor

Një tjetër konflikt është ndezur mes Barcelonës dhe Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF). Këtë herë në qendër të vëmendjes është ylli 17-vjeçar, Lamine Yamal, i cili nuk do të luajë për Spanjën në ndeshjet e radhës për shkak të një trajtimi mjekësor të papritur.

Sipas mediave spanjolle, Barcelona e ka njoftuar Federatën “në minutën e fundit” se lojtari është nënshtruar një procedure me radiofrekuencë për trajtimin e dhimbjeve në zonën e pubisit, duke e bërë të pamundur grumbullimin e tij me Kombëtaren.

RFEF ka reaguar me zemërim, duke lëshuar një komunikatë zyrtare ku shprehet “e habitur dhe e pakënaqur” me vendimin e klubit katalanas.

“Në orën 13:47 të ditës së grumbullimit, mësuam se lojtari iu nënshtrua një procedure mjekësore pa asnjë njoftim paraprak për stafin tonë shëndetësor,” thuhet në reagimin e Federatës.

Në raportin që Barcelona e dërgoi më vonë atë mbrëmje, thuhet se Yamal ka nevojë për pushim prej 7 deri në 10 ditësh – periudhë që përkon pikërisht me pauzën ndërkombëtare dhe ndeshjet e Spanjës kundër Gjeorgjisë dhe Turqisë.

Ndërkohë, tifozët e Barcelonës e kanë mirëpritur këtë veprim, duke e cilësuar si “lëvizje të mençur” të presidentit Joan Laporta.

“Më në fund po kujdesemi seriozisht për lojtarët tanë”, “Laporta është mbret”, “Lëreni të shërohet nga dëmtimet që ia shkaktuat ju” – janë disa prej komenteve në rrjetet sociale.

Tifozët kujtojnë rastin e Gavit, që pësoi dëmtim të rëndë të gjurit në një ndeshje të parëndësishme me Gjeorgjinë, pas insistimit të trajnerit të përfaqësueses. Kësaj radhe, duket se Barcelona ka vendosur të mos rrezikojë përsëri me “diamantin e ri të klubit”, që shumë e quajnë tashmë “pasardhësin e Messit”.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com