Prokuroria e Stambollit ka ngritur një aktakuzë voluminoze prej 3,900 faqesh kundër Ekrem Imamoglu, kryetarit të pezulluar të Stambollit, dhe 402 personave të tjerë, mes tyre 105 të arrestuar. Imamoglu akuzohet për krijim të një organizate kriminale, korrupsion, pastrim parash dhe manipulim tenderësh.
Sipas mediave turke TRT Haber dhe Anadolia, prokuroria kërkon një dënim rekord – deri në 2,430 vjet burg për Imamoglun. Ai u dënua më herët me 20 muaj burg për fyerje dhe kërcënim ndaj kryeprokurorit.
Në total, të dyshuarit përballen me 143 akuza të ndryshme, përfshirë “themelim dhe drejtim të organizatës kriminale”, “marrje ryshfeti”, “zhvatje” dhe “pastrim pasurie të fituar nga krimi”.
Autoritetet turke pretendojnë se 99 nga të akuzuarit janë anëtarë të organizatës që supozohet se drejtohej nga Imamoglu, ndërsa të tjerët kanë bashkëpunuar me të në mënyrë indirekte.

