Dinamo fiton, Hoxha vendimtar me dygolësh ndaj Varazhdinit

Dinamo Zagrebi ka vazhduar serinë pozitive në kampionatin kroat duke triumfuar 3:1 ndaj Varazhdinit, ndërsa protagonist i ndeshjes sërish ishte Arbër Hoxha. Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë u bë figura kryesore e takimit të xhiros së 14-të, të zhvilluar në stadiumin “Maksimir”, duke realizuar dy gola të rëndësishëm.

Hoxha hapi serinë personale të golave në minutën e 37-të, kur shfrytëzoi për mrekulli asistimin e Mateo Lisicas dhe nga shumë pranë e dërgoi topin në rrjetë për 2:0.

Në fillim të pjesës së dytë, ai nisi një aksion të shpejtë nga e majta, kaloi disa kundërshtarë dhe pas kombinimit me Miha Zajc, goditi saktë me të majtën në minutën e 53-të për rezultatin 3:0. Hoxha u zëvendësua në minutën e 80-të pas një paraqitjeje të shkëlqyer.

Me këto dy gola, 27-vjeçari shkon në pesë realizime dhe tre asistime në 17 paraqitje këtë edicion në të gjitha garat. Para kësaj ndeshjeje, ai kishte shënuar së fundmi më 1 nëntor, në derbin e fituar 2:1 kundër Rijekës, ku regjistroi një supergol.

Dinamo Zagrebi aktualisht renditet e dyta në tabelë me 28 pikë, duke vazhduar garën e fortë për kreun e kampionatit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT