Bilall Kasami pret kryeministrin Albin Kurti në Shkup, bashkë udhëtojnë për të shënuar Ditën e Alfabetit në Manastir

Kryetari i Komunës së Tetovës dhe udhëheqësi i koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka mirëpritur sot në Shkup kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin zhvilloi një drekë pune dhe diskutoi mbi zhvillimet aktuale politike në të dy vendet. Takimi u fokusua edhe në thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe atij ndërpartiak, ku Lëvizja VETËVENDOSJE—një prej shtyllave kryesore të koalicionit VLEN—u veçua si partner i rëndësishëm politik.

Gjatë takimit, Kasami dhe Kurti uruan njëri-tjetrin për sukseset në zgjedhjet lokale, ndërsa kryetari i Tetovës i uroi VV-së fitore në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.

Pas takimit, Kasami dhe Kurti u nisën drejt Manastirit për të shënuar Ditën e Alfabetit, pikërisht aty ku 117 vjet më parë u vendos unifikimi i alfabetit shqip. Kasami theksoi se VLEN mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes dhe institucionalizimit të gjuhës shqipe, si dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Kjo ditë është një simbol i identitetit tonë kombëtar. Urime të gjithë shqiptarëve Ditën e Alfabetit”, deklaroi Kasami.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT