A e dini se sot serbët figurojnë si pronarë të shtëpisë ku u mbajt Kongresi i Alfabetit? – Shkruan KohaNews

Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, një nga monumentet më të rëndësishme të identitetit kulturor shqiptar, edhe sot e kësaj dite mbetet me çështje të pazgjidhura pronësie. Ndërtesa historike, ku në vitin 1908 patriotët shqiptarë vendosën mbi bazat e alfabetit të gjuhës shqipe, nuk është plotësisht nën administrimin e shtetit apo të institucioneve shqiptare.

Në katin përdhe, ende sot shihen reklamat e bizneseve private, për shkak se kati përdhe dhe një pjesë e oborrit janë pronë private, jo e Muzeut. Kjo situatë vjen si rezultat i një historie të çuditshme regjistrimesh në kadastrën e Manastirit.

Edhe pse shtëpia njihet historikisht si pronë e Fehim bej Zavalanit, një prej figurave të shquara të Rilindjes Kombëtare dhe mbështetës i rëndësishëm i Kongresit të Manastirit, emri i tij nuk figuron askund në dokumentet e kadastrës. Regjistrimi i parë zyrtar daton nga viti 1932, ku shtëpia me 266 m² dhe oborri me 500 m² dalin në pronësi të Jovanovic Kirkova Hrisulla, një qytetare serbe e Manastirit.

Më pas, përgjatë viteve 1964–2003, prona ka kaluar me trashëgimi, dhurim dhe vendime gjyqësore tek pasardhës të tjerë me origjinë serbe: Mirosllav Kirkovic, Darko Kirkovic, dhe më vonë Ziziç Jovan, i cili vijon të figurojë ende sot si pronar i një pjese të oborrit.

Edhe pas kthimit të shtëpisë në muze në vitin 2009, situata mbeti e paqëndrueshme: sipas matjeve të reja, katin përdhe e mori në pronësi Millovshski Zllatko, ndërsa muzeu vetëm e shfrytëzon hapësirën duke paguar qira nga Ministria e Kulturës.

Drejtori i Muzeut, Zait Aliu, thekson se:
“Një e katërta e oborrit është pronë private, ndërsa tre të katërtat janë të komunës. Kati përdhe nuk është në pronë të muzeut, por vetëm në shfrytëzim.”

Kjo gjendje absurde ka sjellë probleme të vazhdueshme: muzeu ka mundësi të kufizuara investimi, përmbajtje të pakët dhe numër të ulët vizitorësh — përveç ditës së Alfabetit.


KohaNews: Partitë politike shqiptare duhet të veprojnë – Shtëpia duhet të blihet ose t’u kthehet pronarëve të vërtetë

Në një kohë kur monumentet historike shqiptare kërkojnë mbrojtje dhe dinjitet, shtëpia e Alfabetit nuk mund të mbetet peng i kaosit pronësor. Është e pakuptimtë që sot, më shumë se një shekull pas Kongresit, pronarë zyrtarë të oborrit të saj të jenë serbë, ndërsa shqiptarët e kanë kthyer ndërtesën në simbol kombëtar.

Është detyrim moral, kulturor dhe kombëtar që:

✔️ Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut të bëjnë gjithçka që kjo pronë të blihet ose të rikthehet tek trashëgimtarët e vërtetë të Fehim bej Zavalanit.

✔️ Shteti duhet të zgjidhë urgjentisht çështjen e pronësisë, për të ruajtur integritetin e muzeut dhe për ta shndërruar në qendër të vërtetë kulturore dhe edukative.

✔️ Institucionet shqiptare duhet të ndërmarrin iniciativë ligjore dhe financiare, sepse bëhet fjalë për një objekt që përfaqëson historinë e gjithë kombit shqiptar.

Deri atëherë, Muzeu i Alfabetit mbetet një monument i gjysmës së vërtetë, i lidhur, i kufizuar dhe i sakrifikuar nga neglizhenca e politikës.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT