Albin Kurti merr pjesë në shënimin e 117-vjetorit të Kongresit të Alfabetit në Manastir

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Manastir në shënimin e 117-vjetorit të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në një organizim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, aty ku u mbajt Kongresi historik i vitit 1908.

Në fjalimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë e alfabetit si simbol të bashkimit kombëtar dhe të zhvillimit të gjuhës shqipe. Ai kujtoi punën e paraardhësve të shquar si Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, Parashqevi Qiriazi, Hilë Mosi, Bajo Topulli, Sotir Peci dhe të tjerë, të cilët përmes gjuhës së shkruar kontribuan në ruajtjen e identitetit shqiptar.

Kryeministri gjithashtu nënvizoi se alfabeti i standardizuar është rezultat i një procesi shekullor që ka bërë të mundur zhvillimin e gjuhës shqipe dhe bashkimin e shqiptarëve përtej ndarjeve politike, krahinore dhe ideologjike. Ai e konsideroi Manastirin, së bashku me Prizrenin dhe Vlorën, si qendra historike të trashëgimisë shqiptare moderne.

Ngjarja u përshëndet nga zyrtarë të lartë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe nga Lulzim Jashari, djali i komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga rajoni dhe diaspora.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT