Prokuroria italiane hap hetim për mizoritë në Sarajevë: Emri i Vuçiqit në qendër të akuzave

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përballet me një zhvillim të rëndë juridik dhe politik, pas kallëzimit penal të paraqitur në Prokurorinë e Milanos nga gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiç, lidhur me të ashtuquajturat “Sarajevo-Safaris”.

Sipas këtij kallëzimi, gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1992–1995, turistë të huaj dhe ekstremistë serbë dyshohet se paguanin për të qëlluar me snajper ndaj civilëve boshnjakë, në bashkëpunim me forca të armatosura serbe. Prokuroria italiane ka hapur tashmë një hetim për vrasje me paramendim, të rënduar nga mizoria dhe motivet e ulëta, fillimisht kundër personave të panjohur.

Në raportimet e mediave italiane, thuhet se prokurori Alessandro Gobbis ka nisur hetimet mbi bazën e një kallëzimi të gazetarit dhe shkrimtarit Ezio Gavazzeni, i mbështetur nga dy avokatë dhe ish-gjykatësi Guido Salvini. Sipas dëshmive, shtetas italianë, kryesisht të ekstremit të djathtë dhe pasionantë pas armëve, udhëtonin nga Trieste drejt Bosnjës për t’u përfshirë në këto akte të rënda.

Në lidhje me zhvillimet e fundit, për gazetën “Bota sot” foli avokati shqiptar Spartak Ngjela, i cili deklaroi se është në dijeni të këtyre akuzave dhe se, sipas tij, ato duhet të hetohen me seriozitet maksimal. Ngjela vuri theksin te roli që Vuçiq ka pasur në strukturat politike të regjimit të Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve ’90, duke e konsideruar këtë periudhë si të mbushur me akte të rënda kriminale ndaj popullsive në rajon.

“Jam në dijeni të kallëzimit dhe besoj se drejtësia ndërkombëtare duhet t’i trajtojë këto çështje deri në fund. Ngjarjet e luftërave të Ballkanit kanë lënë pasoja të rënda dhe përgjegjësia për to nuk duhet të mbetet e paqartë,” deklaroi Ngjela.

Ai shtoi se historia e konflikteve në hapësirat ish-jugosllave ka qenë e shoqëruar me dhunë dhe krime, ndërsa vuri në dukje se Serbia sot ndodhet në një realitet krejt tjetër politik, ku presioni ndërkombëtar për zbardhjen e së kaluarës po rritet.

Hetimet e Prokurorisë së Milanos mbeten në fazë paraprake, ndërsa pritet që organet italiane dhe ato ndërkombëtare të sigurisë të kërkojnë dokumente dhe dëshmi të reja, përfshirë edhe ato që lidhen me strukturat serbe të kohës së luftës në Bosnje.

Ky rast, i cili po merr jehonë në mediat evropiane dhe ballkanike, pritet të ketë ndikim të ndjeshëm politik dhe diplomatik në rajon, sidomos në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe BE-së.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT