Ministri Ljutkov dhe komisari Tokura: Përmes Memorandumit të bashkëpunimit afrojmë kulturën maqedonase dhe japoneze
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, sot në Qeveri ka zhvilluar takim bilateral me komisarin për Marrëdhënie Kulturore të Japonisë, Shuniqi Tokura, i cili ndodhet për vizitë pune dyditore në vendin tonë. Pas takimit, Ljutkov dhe Tokura nënshkruan Memorandum për bashkëpunim në fushën e kulturës, i cili është dokumenti i parë bilateral në këtë fushë mes dy vendeve.
Në deklaratë për media, ministri Ljutkov e vlerësoi si historike vizitën e komisarit japonez për Kulturë, sepse, siç theksoi, të gjitha përpjekjet tona për thellimin e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore me Japoninë, në këtë vit kur kremtojmë 30 vjetorin e themelimit të marrëdhëniet bilaterale, janë konkretizuar me nënshkrimin e Memorandumit për bashkëpunim kulturor.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit shprehu pritshmërinë që komunikimi i drejtpërdrejtë do të mundësojë vizita reciproke të ansambleve dhe artistëve krijues nga veprimtaria muzikore-skenike dhe teatrore, bashkëpunim mes muzeve, galerive dhe qendrave të artit, si dhe shkëmbimin e përvojave në menaxhimin e lokaliteteve që janë regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke qenë se Japonia ka regjistruar gjithsej 26 lokalitete.
Ljutkov theksoi mundësinë e bashkëpunimit në industrinë e filmit, duke pasur parasysh faktin se festivali i madh i filmit mbahet çdo vit në Tokio, një nga drejtueset e programit të të cilit është Andrijana Cvetkoviq, të cilën e falënderoi për angazhimin e saj të përgjithshëm në realizimin e kësaj vizite, por edhe për kontributin e saj në ndërtimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si ambasadorja e parë rezidente në Japoni.
Duke shprehur mirënjohje për ndihmën e përgjithshme japoneze për vendin tonë përmes donacioneve, granteve dhe projekteve të ndryshme që stimulojnë zhvillimin tonë ekonomik, social dhe kulturor, ministri Ljutkov shprehu besimin se në të ardhmen do të realizohen shumë iniciativa dhe projekte të tjera që do të përmirësojnë marrëdhëniet tona.
Në takim, ministri Ljutkov e njoftoi komisarin Tokura me prezantimin e ardhshëm të vendit tonë në kuadër të EXPO OSAKA 2025, ku për nder të përkujtimit të 60 vjetorit të projektit të të madhit Kenzo Tange për rindërtimin e zonës qendrore të Shkupit pas tërmetit katastrofik të vitit 1963, në Japoni do të prezantohet ekspozitë që do të prezantojë veçoritë e këtij projekti, si dhe do të ketë edhe programe të tjera të rëndësishme, përmbajtjet, dhe performanca të artistëve tanë të njohur.
Komisari japonez për Marrëdhëniet Kulturore, Tokura, në deklaratë për mediat theksoi se nënshkrimi i Memorandumit në një vit që shënon tre dekada nga vendosja e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve paraqet nxitje të madhe për zhvillimin e bashkëpunimit e cila i mbulon të gjitha sferat e kulturës dhe artit.
Komisari për Marrëdhënie Kulturore të Japonisë, Shuniqi Tokura gjatë vizitës së punës në vendin tonë do të vizitojë edhe Filarmoninë, ku do të takohet me artistë krijues, ndërsa gjatë ditës së nesërme do të vizitojë edhe Muzeun e Luftës së Maqedonisë për Pavarësi dhe Qarshinë e vjetër të Shkupit, ku në hamamin e Daut Pashës do të shohë ekspozitën e piktorit maqedonas Vangell Kogjoman. Sot në ora 18:00 në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë, ministri Ljutkov dhe komisari Tokura do të marrin pjesë në koncertin e Orkestrës së Xhaz Muzikës , për nder të 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë