Koalicioni VLEN është në fazën përfundimtare të një riformatimi të pjesshëm të përfaqësimit në Qeveri, marrëveshje që sipas informacioneve të KohaNews pritet të marrë formë zyrtare gjatë kësaj jave. Procesi është zhvilluar në heshtje dhe me konsultime të brendshme, duke krijuar një atmosferë pritjeje për ndryshimet që po vijnë.
Në kuadër të marrëveshjes së re, Ministria e Mjedisit Jetësor pritet të kalojë në duart e Muhamet Hoxhës, një kuadër me përvojë të gjatë në ekzekutiv dhe ish-zëdhënës i Qeverisë. Ai do ta zëvendësojë Izet Mexhitin, i cili tashmë është zgjedhur kryetar i Komunës së Çairit.
Ndryshime priten edhe në nivelin e zëvendëskryeministrave. Deputeti Bekim Sali është paraparë të marrë postin e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, duke zëvendësuar Arben Fetain, ndërsa njëkohësisht do të ushtrojë funksionin e zëvendëskryeministrit të parë.
Arben Fetai, nga ana tjetër, pritet të marrë drejtimin e Ministrisë për Integrime Evropiane, dikaster me të cilin ai lidhet edhe përmes përvojës së tij në diplomaci dhe angazhimeve të mëhershme në strukturat e BE-së në Bruksel.
Pozita aktuale e ministrit për Integrime Evropiane, Orhan Murtezani, sipas informacioneve të KohaNews, pritet të rikonfigurohet, me gjasa që ai të transferohet në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.
Koalicioni VLEN pritet t’ia paraqesë këto propozime Qeverisë ditët në vijim, pas çka procedurat do të kalojnë në Kuvend. Ndërkohë, pas muajit janar, priten lëvizje edhe më të thella brenda kabinetit qeveritar.

