Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është nominuar sot zyrtarisht kandidat për kryeministër dhe bartës liste për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, ku u miratua edhe lista prej 110 kandidatëve për deputetë, e përpiluar sipas kritereve të përfshirjes rajonale, profesionale dhe gjinore.
Haradinaj bëri të ditur se slogani i AAK-së për zgjedhjet e ardhshme do të jetë “Krah Teje”, një mesazh që sipas tij përcjell afërsinë me qytetarin dhe angazhimin për të rikthyer normalitetin në vend.
Në të njëjtën mbledhje u miratua edhe programi zgjedhor i Aleancës, i cili mbështetet në tre shtylla kryesore:
-
Qëndrueshmëria dhe trashëgimia,
-
Mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik,
-
Siguria dhe integrimi euro-atlantik.
Duke e quajtur këtë program një ofertë të plotë për zhvillimin e Kosovës, Haradinaj theksoi se është i ndërtuar mbi kombinimin e “lidershipit të guximshëm e vizionar” dhe një liste kandidatësh të përfaqësueshme nga të gjitha zonat e vendit.
Objektivat ekonomike të AAK-së
Aleanca parasheh një ritëm ambicioz zhvillimi ekonomik gjatë mandatit qeverisës, duke përfshirë:
-
Rritje ekonomike vjetore prej 7%,
-
Rritje të GDP-së nga 12 deri në 14 miliardë euro,
-
Rritje të buxhetit nga 3.3 miliardë euro në vitin 2025 në 6.1 miliardë euro deri në vitin 2029,
-
Rritje prej 31% të pagave dhe pensioneve që nga viti 2026, me objektiva për:
-
pagë mesatare 1,100 euro,
-
pension 500 euro, varësisht nga kategoritë.
-
Haradinaj theksoi se pagat dhe pensionet do të përcaktohen sipas indeksit vjetor të zhvillimit ekonomik dhe inflacionit, për të garantuar një rritje reale të standardit të jetesës.
Në aspektin e investimeve kapitale, programi parasheh rritje të konsiderueshme:
-
61% rritje në vitin e parë,
-
duke arritur deri në 240% rritje në vitin 2029, si shtyllë e fuqizimit të zhvillimit ekonomik.
Mesazhi politik: “Krah Teje”
Haradinaj tha se AAK hyn në garë me synimin për të rikthyer stabilitetin institucional, sigurinë dhe partneritetin strategjik me aleatët perëndimorë, duke veçuar SHBA-në si partner kyç.
Sipas tij, prioritet mbetet edhe rruga drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, si dhe forcimi i shtetit dhe integritetit të Kosovës.
“Krah Teje, për Kosovën tonë të përbashkët. Na priftë e mbara!”, përfundoi Haradinaj në deklarimin e tij publik.


