Parlamenti gjerman miratoi sot me shumicë absolute projektligjin e ri për pensionet, i cili synon të sigurojë stabilitetin e sistemit pensional në vitet e ardhshme. Koalicioni qeverisës arriti të sigurojë votat e nevojshme pa mbështetjen e opozitës, duke kaluar një nga ligjet më të debatueshme të muajve të fundit.
Pas votimit në Bundestag, Jens Spahn, kryetar i grupit parlamentar të Unionit CDU/CSU, deklaroi se miratimi i ligjit është dëshmi e funksionalitetit të koalicionit.
“Ky është një ditë e mirë për koalicionin, i cili tregoi se është i aftë të debatojë, por edhe të marrë vendime,” u shpreh Spahn.
Tensione brenda koalicionit
Para votimit kishte pasur tensione të dukshme mes demokristianëve dhe socialdemokratëve për paketën e pensioneve, çka madje rrezikonte edhe stabilitetin e qeverisë së udhëhequr nga Friedrich Merz.
Kundërshtimet më të forta erdhën nga deputetët e Unionit që i përkasin “Mlada Unionit” (Junge Union), të cilët argumentonin se ligji i ri ngarkon padrejtësisht gjeneratat e reja me barrë financiare të tepërt.
Roli kritik i “Mlada Unionit”
Miratimi i ligjit varej edhe nga votat e 18 deputetëve të “Mlada Unionit”, çka e bënte procesin të pasigurt deri në momentet e fundit. Megjithatë, koalicioni arriti të unifikojë shumicën dhe ta kalojë projektligjin pa ndihmën e opozitës.
Ligji i ri pensional pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në debatet politike të Gjermanisë në muajt e ardhshëm, për shkak të dilemave të ngritura mbi balancimin e qëndrueshmërisë financiare dhe drejtësisë ndërbreznore.


