Prishtina ndalet në barazim, Gjilani fiton bindshëm ndaj Llapit

Me dy ndeshjet e sotme është mbyllur java e 16-të e Albi Mall Superligës së Kosovës, ku Prishtina u ndal në barazim si vendas në duel me Ferizajn, ndërsa Gjilani vazhdoi formën e mirë me fitore bindëse në shtëpi ndaj Llapit.

 

Prishtina nuk arriti të rikthehet te fitorja as në ndeshjen e dytë nën drejtimin e Afrim Tovërlanit, duke u ndalur në barazim 1:1 ndaj Ferizajt. Kjo është ndeshja e pestë rresht në kampionat pa fitore për bardhekaltrit e kryeqytetit, të cilët kanë regjistruar tri humbje dhe dy barazime në këtë periudhë.

Mario Ilievski shënoi për 1:0 në minutën e 51-të, por vetëm nëntë minuta më vonë, Jakup Berisha i mysafirëve barazoi shifrat nga penalltia. Prishtina realizoi edhe dy gola të tjerë, por të dyja u anuluan për pozicion jashtë loje.

Ferizaj, ndërkohë, vazhdon të kërkojë stabilitet në rezultate. Barazimi në Prishtinë ishte i treti në pesë ndeshjet e fundit për skuadrën e parafundit të tabelës, e cila tash numëron 16 pikë. Prishtina mbetet e dyta me 27 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa Ballkani kryeson me dy pikë më shumë.

Gjilani ka hyrë në një seri pozitive, duke shënuar fitoren e tretë rresht në të gjitha garat. Skuadra e Debatik Currit triumfoi 3:0 ndaj Llapit, në një ndeshje ku dominoi plotësisht sidomos në pjesën e dytë.

Gjilanit iu lehtësua puna që në minutën e gjashtë, kur Llapi mbeti me një lojtar më pak pasi Axel Gnapi u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj portierit të Gjilanit, Laroshi

Sabit Bilali realizoi golin e parë në minutën e 47-të, ndërsa Mevlan Adili, pas një asistimi të saktë nga Armend Thaqi, dyfishoi epërsinë me një goditje precize nga afërsia. Fitoren e vulosi Senad Jaroviq në minutën e 87-të.

Me këtë fitore, Gjilani ngjitet në pozitën e gjashtë me 22 pikë, ndërsa Llapi zbret në vendin e shtatë me 20 pikë.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT