Kalim ilegal pranë Bit Pazarit vazhdon të përdoret, ura mbi rrugë mbetet e mbyllur

Kalimtarët në afërsi të Bit Pazarit vazhdojnë të lëvizin në mënyrë të rrezikshme nga njëra anë e rrugës në tjetrën, megjithëse aty nuk ekziston as vizëbardhë dhe as semafor. Shtegu i improvizuar për këmbësorë ngrit shqetësime serioze për sigurinë rrugore dhe shkakton trafik të dendur në bulevardin “Kërste Petkov Misirkov”.

 

Ndërkohë, ura e ndërtuar mbi rrugë – e menduar fillimisht për kalimin e sigurt të këmbësorëve – qëndron e mbyllur dhe e papërdorur.

Gazetarja e TV21, Fazile Halili, nga terreni raporton se situata paraqet rrezik të përditshëm:
“Edhe pse mungojnë vizëbardhat dhe semaforët, qytetarët vazhdojnë të kalojnë këtu, duke vënë në rrezik jetën e tyre,” thekson ajo.

Qytetarët kërkojnë semaforë dhe vizëbardha

Banorët e zonës shprehen se zgjidhja e vetme është rregullimi i plotë i vendkalimit.

  • “Duhet të ketë vizëbardha, duhet të ketë semaforë. Këtu është rrëmujë e madhe. Kur është policia ka disiplinë, por zakonisht nuk ka askënd,” thotë një qytetar.

  • Një tjetër shton shembullin e Gjenevës:
    “Atje më dënuan 60 franga për trotinetin, vetëm se nuk kam përdorur rrugën e biçikletave. Ligji duhet respektuar. Urën e kemi, por nuk përdoret. Duhet vendosur semafor që edhe të moshuarit të kalojnë pa rrezik.”

  • Të tjerë nënvizojnë mungesën e bazës ligjore:
    “Nëse shtegu përdoret çdo ditë, duhet të jetë i shënuar. Pa vizëbardha dhe pa semafor nuk dihet kush ka të drejtë. Një pakujdesi e vogël mund të sjellë pasoja të rënda.”

Kryetari i Çairit: Ura do të prishet, vendkalimi do të zyrtarizohet

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, konfirmon se ura mbi rrugë pritet të hiqet përfundimisht.

“Zgjidhja më e mirë është prishja e urës dhe hapja e një vendkalimi zyrtar me semaforë. Kontrata me kompaninë që e ndërtoi urën ka përfunduar dhe komuna nuk ka asnjë obligim financiar,” deklaroi ai.

Reagimi i Qytetit të Shkupit – në pritje të përgjigjes

Redaksia ka kërkuar reagim edhe nga Qyteti i Shkupit lidhur me afatet dhe masat që do të ndërmerren për këtë pjesë të bulevardit. Përgjigjet ende priten.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT