Kryetari i zgjedhur i New York-ut, Zohran Mamdani, do të zhvendoset në rezidencën zyrtare Gracie Mansion

Kryetari i sapozgjedhur i qytetit të New York-ut, Zohran Mamdani, ka njoftuar se do të lërë apartamentin e tij me qira në Queens për t’u transferuar në rezidencën zyrtare të kryebashkiakut, Gracie Mansion, në Manhattan.

 

Mamdani, i cili merr detyrën më 1 janar, pritet të zhvendoset në vilën historike 1,000 m² gjatë muajit të parë të mandatit. Gracie Mansion, e ndërtuar në vitin 1799 dhe e rrethuar nga një park i gjelbër në Upper East Side, shërben si shtëpia zyrtare e kryebashkiakëve të Nju Jorkut që prej vitit 1942. Banimi aty nuk është i detyrueshëm, por shumica e paraardhësve të tij e kanë zgjedhur, përveç Michael Bloomberg.

Në deklaratën e tij, Mamdani theksoi se vendimi për t’u zhvendosur u mor së bashku me bashkëshorten e tij, Rama Douawzi, kryesisht për arsye sigurie. Ai shprehu gjithashtu keqardhjen për largimin nga Astoria, lagjja e Queens-it ku çifti ka jetuar deri më tani.

“Do të na mungojnë shumë gjëra nga jeta jonë në Astoria – gatimi në kuzhinën tonë, takimet e rastësishme me fqinjët në ashensor, muzika dhe të qeshurat që mbushnin apartamentin,” shkroi Mamdani.

Gjatë fushatës, ai e ka vënë theksin tek kostot e larta të jetesës dhe nevoja për më shumë banesa me qira të kontrolluara. Opozita e kritikoi faktin që ai jetonte në një apartament me qira të kontrolluar prej 2,300 dollarësh në muaj, duke pretenduar se të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes do t’i lejonin një shtëpi jashtë këtij sistemi.

Megjithatë, Mamdani deklaroi se lidhja e tij me Astorian do të mbetet e fortë:
“Edhe kur të mos jetoj më në Astoria, ajo do të vazhdojë të jetojë brenda meje dhe të ndikojë në punën që bëj.”

TË NDRYSHME

TË FUNDIT