Kryetari i Komunës së Cërnilishtës, Blerim Islami, së bashku me drejtorin gjeneral të Postës së Maqedonisë së Veriut, z. Orhan Kurtishi, inauguruan sot qendrën e re të shërbimeve postare në fshatin Cërnilishtë.
Kjo qendër e re postare pritet të sjellë lehtësime të mëdha për banorët e Cërnilishtës dhe zonave përreth, duke ofruar shërbime më të shpejta dhe më të qasshme pa nevojën për të udhëtuar në vendbanime të tjera.
“Kemi hapur një qendër të re postare për të plotësuar një nevojë jetike të bashkëvendësve tanë. Edhe një premtim po e bëjmë realitet,” u shpreh kryetari Blerim Islami, duke theksuar se komuna do të vazhdojë me projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Z. Kurtishi vlerësoi bashkëpunimin me komunën dhe u shpreh se Posta e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të investojë në infrastrukturë dhe shërbime më cilësore.
Me hapjen e kësaj qendre, banorët e Cërnilishtës tashmë do të kenë qasje të plotë në shërbimet postare brenda komunitetit të tyre.


