Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar një rol më aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në procesin e dialogut, “pa përjashtuar edhe rolin e BE-së”. Ai ka folur edhe për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në një intervistë për ATV.
“Kjo nuk është një temë e lehtë. Por ky format duhet të ndryshojë. Unë besoj se me një punë intensive, të drejtë dhe me partneritet e besim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të kenë një rol aktiv në këtë proces, gjithmonë duke e vlerësuar dhe respektuar rolin e BE-së. Mirëpo, sipas vlerësimit tim, nuk është e mjaftueshme që ShBA-ja të ketë një rol më periferik; ato duhet të jenë drejtpërdrejt të përfshira në procesin e dialogut”, ka thënë Hamza.
Ai ka theksuar se drafti i Asociacionit ka “disa elemente që duhet të adresohen”, përfshirë çështjen e Rezolutës 1244 dhe Arbitrazhin.
“Tek drafti aktual, për shkak se ne vonuam dhe nuk e prodhuam vetë draftin, por e prodhuan të tjerët, tani është shumë më e vështirë të bëhen ndërhyrjet e nevojshme për ta sjellë në formatin ku realisht do të ishte, nëse Kosovës i hapet perspektiva për integrim në BE dhe NATO. Aty janë disa çështje që duhet të adresohen. Rezoluta 1244 nuk ka vend në dokumentet e brendshme të Republikës së Kosovës, dhe Arbitrazhi nuk duhet të përfshihet, pasi zhvleftëson rolin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Hamza.
Ai ka deklaruar gjithashtu se Kosova duhet të sigurohet që në fillim se cili do të jetë përfundimi i procesit të dialogut, me qëllim që vendi të bëhet anëtar i BE-së dhe NATO-së.


