Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në Shkup u zhvillua Forumi Rajonal “Nga politika në ndikim: avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor”, i organizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut në partneritet me Suedinë, Zvicrën, BE-në dhe UNOPS.
Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë politikë e qëndrueshme shtetërore, e mbështetur në rezultate konkrete dhe jo premtime. Forumi mblodhi ministra, drejtues institucionesh, përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe organizatave ndërkombëtare, dhe do të zhvillojë katër sesione mbi bashkëpunimin rajonal, mekanizmat e llogaridhënies, teknologjinë dhe rolin e medias hulumtuese.
Në përmbyllje, do të miratohet Deklarata e Shkupit, e cila do të shërbejë si platformë vjetore për raportimin e progresit dhe dakordimin e hapave të përbashkët në luftën kundër korrupsionit.


